Monedha vendase po e mbyll vitin 2016 në kuotën e 135 lekëve, niveli më i ulët ky që nga 2009-a. Teksa e nisi vitin duke u ngjitur në kuotën e 139.3 lekëve, euro më pas ka qenë e dobët në raportet e këmbimit me lekun.

Për gjithë vitin 2016, kursi mesatar i këmbimit euro-lek ishte 137.4 lekë, nga 139.7 lekë në vitin e mëparshëm, duke rënë me 1.6%. Kjo është mesatarja më e ulët që nga viti 2009, kur monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 132.1 lekë (shiko grafikun Kursi i këmbimit lek/euro, 2003-2016). Prej gati 5 vitesh, euro në tregun e brendshëm ishte luhatur në kuotat e 139-140 lekëve.

Kanë qenë disa arsyet kryesore të kësaj sjelljeje të brendshme dhe të jashtme.

Si faktor i jashtëm, në tregjet ndërkombëtare ka qenë e dobët. Euro po e mbyll vitin 2016 duke u këmbyer me 1.04 lekë, me një rënie vjetore prej 4.3%. Në fillim të 2016-s euro këmbehet me 1.26 USD. Por rënia e euros në bursa nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar nënçmimin e saj në tregun e brendshëm. Në dhjetor të një viti më parë, kur euro zbriti në nivele të ngjashme në bursa, ajo këmbehej me rreth 139 lekë tek ne, ndërsa ishte dollari ai që reflektoi ndryshimin, duke u ngjitur në rreth 132 lekë.

Faktorët e brendshëm që kanë mbajtur euron të dobët janë disa:

-së pari, këtë vit ka qenë i ndjeshëm zhvlerësimi i euros nga datat 14-20 të këtij muaji, kur paguhen TVSH dhe sigurimet. Aktorët e tregut pohonin se bizneset nxitonin të këmbenin valutën për të pasur likuiditete për të paguar taksat, edhe si rrjedhojë e presionit më të lartë nga autoritetet fiskale për të paguar taksat. Edhe gazsjellësi TAP, që këtë vit ka qenë në funksion të plotë, ka ndikuar në kërkesën për monedhën vendase në ditët e pagimit të taksave.

-së dyti, oferta e euros ka qenë shumë e lartë këtë vit, sidomos në gjysmën e dytë të vitit. Në kushtet kur eksportet kanë qenë përgjatë gjithë vitit në rënie (për 11-mujorin tkurrja ishte 1.6%), deficiti tregtar (Diferenca mes eksporteve dhe importeve) është zgjeruar me 13% për të arritur në -2.2 miliardë euro dhe remitancat për 9-mujorin ishin në të njëjtin nivel si një vit më parë, mbetet e paqartë se nga ka hyrë kjo valutë.

Edhe Banka e Shqipërisë ka arsyetuar se ky forcim i lekut po vjen nga një ofertë e lartë e monedhës euro në treg, së cilës i është përgjigjur një kërkesë e dobët për euro. Aktorët e tregut pohojnë se oferta e lartë në valutë ka lidhje me paratë informale që po hyjnë nga shitja e hashashit, që pas tetorit, kur nisi dhe shitja e tij. Në dhjetor të këtij viti, euro zbriti në 134.39 lekë, niveli më i ulët nga tetori i vitit 2009. Në ditët e fundit të dhjetorit, monedha e përbashkët e mori pak vitin, por gjithsesi duke u mbyllur në kuotat e 135 lekëve, shumë më poshtë se janari.

Përgjatë vitit 2016, dollari është luhatur mes 122 dhe 129 lekëve, për ta mbyllur vitin në kuotën e 129 lekëve, në nivele më të ulëta se viti i kaluar, kur arriti në 132 lekë.

30 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)/Monitor

albania.eu.com Reviewed by albania.eu.com on . Euro u nënçmua me 1.6% në 2016-n, ja faktorët Euro u nënçmua me 1.6% në 2016-n, ja faktorët Rating: 5.0
Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2017!